AKTIVITET TRAJNUES: “Trajnim i dedikuar për shkrimin, kërkimin dhe arsyetimin ligjor, si edhe për çështje të tjera të administrimit gjyqësor, me fokus njësinë ligjore” - 24 qershor 2026

Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me praninë e OSCE-së në Shqipëri, më datë 24 qershor 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Trajnim i dedikuar për shkrimin, kërkimin dhe arsyetimin ligjor, si edhe për çështje të tjera të administrimit gjyqësor, me fokus njësinë ligjore, pranë ambienteve të Këshillit të Lartë Gjyqësor në Tiranë. 

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë SHM: Sokol Berberi, Edlira Petri

Ekspertë OSCE: Agnes Bernhard

Qëllimi i këtij trajnimi është: Forcimi i aftësive të ndihmësve ligjorë dhe këshilltarëve ligjorë për të identifikuar çështjen juridike, për të kryer kërkim ligjor të orientuar, për të strukturuar pretendimet e ngritura në ankim ose rekurs dhe për të kontribuar në hartimin e akteve gjyqësore të qarta, të arsyetuara dhe të kontrollueshme. Trajnimi synon gjithashtu të nxisë një qasje metodologjike të përbashkët në punën e njësisë ligjore, si në gjykatat e apelit, ashtu edhe në Gjykatën e Lartë, duke pasur në vëmendje dallimin midis çështjeve të faktit dhe atyre të ligjit, si edhe rendin logjik të shqyrtimit kur ngrihen shkaqe procedurale dhe shkaqe që lidhen me themelin e zgjidhjes së çështjes.

Metodologjia e trajnimit do të ndërtohet mbi kombinimin e prezantimeve tematike, diskutimit të orientuar dhe ushtrimeve praktike. Metodologjia do të përfshijë quiz hyrës për të evidentuar qasjen fillestare të pjesëmarrësve dhe për të orientuar diskutimin gjatë trajnimit; trajtim metodologjik të kërkimit, arsyetimit dhe shkrimit ligjor; analizë të problematikave praktike në hartimin e akteve; ushtrime mbi identifikimin e pretendimeve thelbësore, dallimin midis çështjeve të faktit dhe atyre të ligjit, si dhe mbi rendin logjik të shqyrtimit kur ngrihen shkaqe procedurale dhe shkaqe që lidhen me themelin; ndërtimin e mini-analizave juridike sipas një strukture të qartë logjike; diskutim përfundimtar dhe reflektim mbi praktikat e mira.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Procesi i kërkimit, arsyetimit dhe shkrimit ligjor; identifikimi i çështjes juridike; organizimi i argumenteve; struktura e arsyetimit të vendimeve gjyqësore; ndërtimi i paragrafit juridik; përdorimi i gjuhës juridike; problematikat e përgjithshme të shkrimit ligjor dhe praktikat e mira;
  • Shkrimi, kërkimi dhe arsyetimi i akteve gjyqësore nga këndvështrimi i gjykimit në apel; leximi i ankimit; identifikimi dhe individualizimi i pretendimeve thelbësore; dallimi midis çështjeve të faktit dhe çështjeve të ligjit; rendi logjik i shqyrtimit kur në ankim ngrihen njëkohësisht shkaqe procedurale dhe shkaqe që lidhen me themelin; ndërtimi i analizës juridike; problematikat më të zakonshme në praktikën e hartimit të akteve në apel dhe rekomandime konkrete pune;
  • Njësia e shërbimit ligjor dhe roli i ndihmësve ligjorë/këshilltarëve në procesin e vendimmarrjes gjyqësore; pozicioni dhe funksioni i njësisë ligjore; bashkëpunimi institucional dhe standardet e punës. 
  • Në vijim të trajnimit do të prezantohet edhe përvoja e huaj mbi organizimin dhe funksionimin e njësisë së shërbimit ligjor, si edhe standardet profesionale dhe praktikat e mira krahasuese në mbështetje të procesit të vendimmarrjes gjyqësore.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë këshilltarë ligjorë nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, ndihmës ligjorë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm si dhe njësia ligjore pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.